Po ngarkohet Veprimtari

Roli i shoqërisë civile në procesin e negociatave dhe integrimit në BE – shkëmbim i praktikave të mira

Data: 23 Maj
Ora: 10:00 – 12:00

Shoqëria civile në Shqipëri ka një rol kyç dhe të pazëvendësueshëm në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme si zë i pavarur, kritik dhe bashkëpunues për përmbushjen e standardeve të acquis-së së BE-së. Për të mundësuar pjesëmarrje më të strukturuar dhe efektive, është krijuar Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE), si mekanizëm i institucionalizuar që lidh institucionet publike me organizatat e shoqërisë civile, sektorin privat, akademinë dhe aktorë të tjerë të interesuar.

Kjo platformë garanton konsultime të rregullta, ndarjen e informacionit, koordinim ndërinstitucional dhe raportim mbi reformat dhe ecurinë e negociatave. Përmes saj, OShC-të kanë mundësinë të kontribuojnë në përgatitjen e dokumenteve strategjike, të monitorojnë zbatimin e reformave dhe të forcojnë rolin e tyre si pjesë aktive në kapitujt tematikë të negociatave. Megjithatë, përfshirja e qëndrueshme kërkon përballimin e disa sfidave si mungesa e kapaciteteve, qasja e kufizuar në informacion dhe bashkëpunimi ende i dobët mes vetë OShC-ve.
Ky sesion informimi synon të ndajë praktikat më të mira të deritanishme të PPIE dhe të nxisë një qasjë proaktive dhe gjithëpërfshirëse nga shoqëria civile, biznesi, pushteti vendor, ekspertët dhe bota akademike, për të mbështetur procesin e integrimit që është një objektiv kombëtar për  një të ardhme të përbashkët evropiane.
Dr. Elona Bano mban prej muajit mars 2022 pozicionin e Drejtorit të Integrimit dhe Negociatave në Ministrinë e Drejtësisë dhe drejton GNPIE për kapitullin 23 dhe Funksionimin e Institucioneve demokratike. Gjatë periudhës tetor 2021- mars 2022 ka mbajtur  pozicionin e Drejtorit të Kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë. Prej 15 vitesh ushtron profesionin e pedagoges me kohë të plotë në fushën e së drejtës. Në periudhën nëntor 2018- janar 2020 ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Diasporës (janar-prill 2020). Në vitet 2013-2014 në kuadër të programit LEAD Albania të financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor pranë Insitutcionit të Presidentit të Republikës. Është diplomuar juriste pranë Universitetit “Ovidius” në Konstanca, Rumani në 2002, ka vijuar studimet master i shkencave për të drejtën ndërkombëtare publike në Universitetin “Miqësia e Popujve”, në Moskë dhe prej vitit 2017 mban titullin Doktor i Shkencave juridike nga Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës. Gjatë karrierës së saj znj. Bano ka kontribuar në një sërë projektesh në fushën e së drejtës dhe ka qenë pjesë e Sekretariatit teknik pranë Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi pranë Kuvendit në periudhën janar 2015- korrik 2016. Ka kryer një sërë botimesh dhe artikujsh shkencorë si dhe trajnime në fushën e drejtësisë penale, të drejtave të njeriut, ndërmejtësimit dhe arbitrazhit si dhe është autore e dy monografive. Zotëron gjuhët: angleze, italiane, rumune, dhe ruse.